ShqiperiaLive

News Showbis Lifestyle Popnews

Situatë alarmante/ Goditet fabrika me lëndë kimike, ukrainasit ndalohen të dalin nga vendstrehimet

Një sulm rus ka goditur një fabrikë lëndësh kimike në Sievierodonetsk, qytetin ku po zhvillohen luftimet më të ashpra në Ukrainën lindore, por guvernatori i rajonit të Luhansk thotë se në fakt shënjestra ruse ishte rezervari me mbetje të acidit nitrik brenda në fabrikë.

Njerëzit janë paralajmëruar me urgjencë që të mos largohen nga strehimet e tyre dhe të përgatisin maska për t’u mbrojtur nga tymrat toksikë.

Serhiy Haidai i tha BBC se tymrat toksikë kanë mbushur ajrin menjëherë pas goditjes. Bazuar në një rrjedhje kimike të mëparshme, ai parashikon se mund të ketë një kërcënim për njerëzit në një rreze prej 400 metrash nga shpërthimi. Jashtë atij diapazoni, njerëzit mund të përjetojnë acarim të syve, ka deklaruar ai.

Sipas tij për momentin nuk ka asnjë mundësi për të evakuuar asnjë nga 15,000 banorët që kanë mbetur në Severodonetsk, pasi është nën sulm të vazhdueshëm nga rusët.

“Rusët nuk ofrojnë korridore humanitare. Shumica e Severodonetsk kontrollohet nga rusët, por qyteti nuk është i rrethuar”, tha ai.

Donetsk është një nga rajonet ku luftimet janë intensifikuar gjatë javës së fundit, për shkak të rritjes së fushatës së Rusisë për të marrë lindjen e Ukrainës, pas përpjekjes së dështuar për të pushtuar Kievin, kryeqytetin.

Menjëherë më pas Donbas u bë pika qendrore e ambicieve ushtarake të presidentit rus Vladimir Putin./TCH

%d bloggers like this: