U bllokua mes shkëmbinjve në “Ujëvarën e Sotirës”, shpëtohet mrekullisht turistja peruane
Një turiste nga Peruja rrezikoi jetën këtë fundjavë, teksa eksploronte zonën në vendin e quajtur “Ujëvara e Sotirës”, në Gramsh.
Polcia ka njoftuar se ajo po ecte në këmbë midis shkëmbinjve, kur ka mbetur e bllokuar për shkak të terrenit të thepisur. Pas kërkimeve, uniformat blu kanë mundur të identifikojë vendodhjen e saj, duke e shpëtuar. Pas evakuuimit turistja ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Më datë 27.08.2022, në vendin e quajtur “Ujëvara e Sotirës”, 1 turiste nga Peruja, duke eksploruar me këmbë zonën, ka mbetur e bllokuar midis shkëmbinjve, për shkak të terrenit të vështirë e të thepisur.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh dhe shërbimet mbështetëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishte mbetur e bllokuar turistja.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe punës së mirorganizuar, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e turistes nga terreni i vështirë ku ishte bllokuar, të cilës, më pas, i është ofruar shërbimi mjekësor dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore./Gazeta Shqip