Organizata e bamirësisë së Naomi Campbell akuzohet për evazion fiskal
SHBA – Modelja me famë botërore Naomi Campbell është akuzuar sëfundmi për evazion fiskal, teksa mediat renditin disa shkelje prej organizatës së saj të bamirësisë.
Bëhet me dije sipas medias Guardian , se Komiteti i Bamirësisë aktualisht është duke hetuar të gjitha të dhënat financiare dhe lëvizjet e Fondacionit “Fashion for Relief” , i cili menaxhohet nga Naomi Campbell me Bianca Helmich dhe Veronica Sylvia.Këto akuza janë ngritur pas një auditimi zyrtar ku doli se raporti financiar vjetor nuk i ishte dorëzuar shtetit.
Sipas publikimit, modelja dhe bashkëpunëtorët nuk kanë bërë gjithçka në mënyrë të ligjshme dhe akuzohen për evazion fiskal.
Edhe pse fondacioni funksionon që prej viti 2005 për të mbledhur para për fëmijët që jetojnë në varfëri dhe diskriminim, rezulton se ndoshta në fund nuk e mban premtimin dhe disa prej këtyre parave shkojnë tjetër kund.
Sipas llogarive të fondacionit, rreth 1,722,000 paund u mblodhën për vitin 2020, nga të cilat vetëm 5,515 u dhuruan për bamirësi. Pjesa tjetër e parave u përdor për të organizuar një ngjarje bamirësie dhe për të paguar për marrëdhëniet me publikun.
“Ne duam të hetojmë nëse administratorët e institucionit kanë ushtruar siç duhet detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore sipas legjislacionit të bamirësisë. Sipas regjistrit elektronik të bamirësisë, llogaritë e fondacionit për vitin 2020 janë vonuar me më shumë se 178 ditë”, thuhet nga Komisioni i Bamirësisë./Gazeta Shqip