Çështja ndaj Saimir Tahirit regjistrohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë çështja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela, është regjistruar pranë Gjykatës se Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pritet të hidhet në short për përzgjedhjen e trupit gjykues. Dosja ndaj ish-ministrit Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë, Çela do të rigjykohet në Apel, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një trupë e re gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.

Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë, pra nga e para.

Rekurs për çështjen ka bërë edhe prokuroria, e cila i qëndron kërkesës për dënimin e Tahirit me 12 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Sipas prokurorisë, Tahiri dhe Jaeld Çela kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali.

Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si person i lidhur me grupin e “Habilajve” në trafikun e drogës. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë./Gazeta Shqip

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *