Ukraina, mëkati fillestar i NATO-s

Ukraina, mëkati fillestar i NATO-s

Nga Paul Taylor – Për herë të dytë brenda këtij viti, Rusia ka grumbulluar morinë e 100 mijë trupave në kufi me Ukrainën duke ndezur thirrje e paralajmërime “frenetike” në Uashington e Bruksel ndaj Vladimir Putinit që “t’i mbajë duart larg nga Ukraina”.Por, duke i premtuar në vitin 2008 Ukrainës dhe Gjeorgjisë se do të bëheshin anëtare të NATO-s, pa specifikuar se si dhe kur, aleanca perëndimore në të vërtetë mbanë peshën e vet të fajit në trazimin e këtyre rajoneve të Europës Lindore, që për periudha të gjata kohore kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik e më parë të Perandorisë Ruse. Diçka mund të riparohet ende.

Në samitin e NATO-s në Bukuresht në 2008-ën, nën lobimin kokëfortë të presidentit të asaj kohe të SHBA, George Bush, udhëheqësit e Aleancës injoruan interesat historike të Moskës dhe krijuan iluzionin e mbrojtjes perëndimore në Kiev dhe Tbilisi, iluzion që u shkërmoq brenda pak muajve. Pavarësisht rezistencës së Frncës dhe Gjermanisë, aleatët bënë një premtim që nuk mund ta mbanin dot, por tani as mund të tërhiqen dot prej këtij premtimi pa një humbje të madhe, shkruan Gazeta SHQIP.

Samiti i Bukureshtit ndoshta ishte kulmimi i momentit “njëpolar”, kur SHBA besonte se e vetme mund të farkëtonte gjithë botën sipas standardeve e linjave perëndimore, duke injoruar paralajmërimet e Presidentit françez, Jacques Chirac, se “Rusia nuk mund të poshtërohej” dhe të kancelares gjermane, Angela Merkel që deklaronte se duhet të llogariten “interesat e sigurisë” së Moskës, që i quante legjitime.

Rezultati mbolli në Kremlin frikën e rrethimit dhe humbjes së thellësisë së influencës që ka në Europën Lindore, e që e ndihmoi të fitontë dy luftëra në dy shekuj, ndaj Napoleonit në 1812 dhe ndaj Hitlerit në 1941-1945.

Perëndimi dështoi gjithashtu edhe që të përmirësonte sigurinë dhe vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë. Asnjë garanci nuk mund t’i jepej Moskës se NATO nuk është kërcënim në kufijtë e saj. Justifikimi se zgjerimi i aleancës është krejtësisht një strategji mbrojtëse ishte shumë naiv për t’u kapërdirë nga ana e Rusisë.

Prandaj, kur ushtria ruse shtypi ushtrinë gjeorgjiane po në atë vit, pasi Presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili u përpoq në mënyrë naive që të rimerrte nën kontroll rajonin rebel të Osetisë Jugore, as SHBA dhe as NATO nuk i erdhën në ndihmë.

E njëjta gjë ndodhi edhe kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014, si kundërpërgjigje e rrëzimit të Presidentit prorus nga protestuesit proeuropianë. Përveç kësaj, Moska orkestroi dhe vazhdon të orkestrojë edhe një lëvizje separatiste në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainë. Këtu, perëndimi ka larë duart me disa sanksione gjysmake dhe nuk i ka ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës.

Mësimi i marrë është i qartë: as SHBA dhe as aleatët europiane nuk janë të përgatitur për të rrezikuar një luftë me Rusinë për Ukrainë, apo Gjeorgjinë. Ky nuk është një paqëtim, por është realiteti dhe të pretendosh të kundërtën është mashtrim mizor.

Duke ndjekur të njëjtën logjikë, kur Presidenti i SHBA, Joe Biden mori pjesë në samitin e NATO-s në qershor, ai sinjalizoi se çdo lëvizje për të anëtarësuar Ukrainën në aleancë ishte e ngrirë për momentin. “Të shohim”, tha ai kur u pyet në lidhje me mundësitë e anëtarësimit të Kievit. Në vend të kësaj, ai theksoi nevojën për të plotësuar kriteret, përfshirë këtu luftën kundër korrupsionit.

Qartësisht, Biden është i vendosur ta përqëndrojë vëmendjen e SHBA te sfida me Kinën për të mos ngecur në përplasje ushtarake më të rënda në Europë, apo Lindjen e Mesme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë braktise e Ukrainës dhe lënien e saj në dorë të Vladimir Putin dhe oreksit të tij për hegjemoninë ruse në rajon.

Vendet perëndimore dhe NATO, individualisht dhe kolektivisht mund të ndihmojnë ende Kievin që të forcojë mbrojtjen e vet. Mund të ofrojnë trajnime, pajisje dhe informacione inteligjence. SHBA, Britania dhe Turqia po e ndihmojnë aktualisht Ukrainën që të forcohet ushtarakisht. Franca dhe Gjermania, që paralajmëruan Moskën kundër ndonjë aksioni ushtarak këtë javë, duhet t’u bashkohen këtyre përpjekjeve, shkruan Gazeta SHQIP.

BE dhe NATO së bashku mund të ndihmojnë Ukrainën që të forcojë mbrojtjen dhe kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride, përfshirë lajmet e rreme që synojnë trazirat politike e sociale dhe sulmet kibernetike, që të gjitha me burim nga Moska.

NATO me të drejtë ka përforcuar patrullimet dhe forcat detare në Detin e Zi, që kur Rusia aneksoi e armatosi në mënyrë të paligjshme Krimenë. Megjithatë, aleatët duhet të bëjnë llogaritë mirë dhe të shmangin aksione provokuese, që mund të çojnë në incidente të ngjashme me atë kur një luftëanije britanike lundroi në ujërat e Krimesë në qershor.

Aleatët duhet të frenojnë Ukrainën nga përdorimi i armëve të reja ushtarake, si dronët e marrë nga Turqia, në një përpjekje për të ndryshuar status quo-në aktuale me forcë. BE nga ana e saj, më në fund duhet të dalë përtej deklaratave shqetësuese dhe paralajmërimeve verbale ndaj Moskës dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, nëse kjo e fundit kërcënon me ofensivë ushtarake Ukrainën. Qeveria e re gjermane, si shembull, duhet të jetë gati që të sakrifikojë edhe gazsjellësin Nord Stream 2.

Brukseli mund të ndihmojë Kievin me ndihmë financiare, akses në tregun e përbashkët dhe mbështetje për forcimin e institucioneve. Mund dhe duhet të bëjë më shumë për ta përfshirë të gjithë pellgun e Detit të Zi në rrjetin e transporteve dhe influencës europiane. Duhet gjithashtu që të ngrejë në nivelet më të larta dialogun me tre vendet e lindes që kanë zgjedhur një rrugë pro europiane, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Sigurisht, asgjë s’e justifikon përdorimin e forcës nga ana e Rusisë për të ndryshuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Si aspirante për anëtarësim, Ukraina dhe Gjeorgjia kanë ndihmuar në misionet e NATO-s në Irak dhe Afganistan. Megjithatë, nuk është ende e qartë se si mund të kontribuojnë në sigurinë e Aleancës vende që nuk kanë nën kontroll të gjithë territorin e vet.

Qëndrimi kundër zgjerimit të BE nga vendet perëndimore të Unionit, edhe për Ballkanin Perëndimor, që iu premtua kjo që në 2003-in, do të thotë se vendet e Europës lindore nuk kanë asnjë perspektivë reale për anëtarësim në një të ardhme të parashikueshme. Por, këto vende mund të përfitojnë një “europianizim” gradual përmes integrimit ekonomik dhe njësimit të ligjeve e rregullave, nëse janë në gjendje që të luftojnë korrupsionit, tejkalojnë polarizimin e thellë politik dhe të jenë më tërheqëse për investitorët e huaj.

Sa për NATO-n, anëtarësimi për vende si Ukraina dhe Gjeorgjia është dhe do të mbetet një urë e pakalueshme për disa kohë.

Burimi: Politico – Përktheu Gazeta Shqip

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *